
Escobar: Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjet!
Pas një takimi në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Ndërkaq, hodhi poshtë pretendimet e Osmanit se BE-ja po tregon mungesë të qasjes së barabartë në ndërmjetësimin e dialogut.
Osmani vuri në dukje se është jetike të ketë zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar mes palëve.
Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt 2023. Akordi përfshin edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura më herët gjatë dialogut.
Gjatë takimit me Osmanin, Escobar u shpreh se bisedoi edhe për sigurinë e se Shtetet e Bashkuara ndihen të shqetësuara pas sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit kur një grup serbësh u përleshën me Policinë e Kosovës. U vranë një polic dhe tre sulmues.
Osmani tha se Kosova do të vazhdojë të punojë me aleatët, që “kufiri ynë të jetë i sigurt dhe të parandalohen sulme të tilla”.
Në lidhje me ndalimin e dinarit serb, Escobar tha se ndodhet në Kosovë për të biseduar për mënyrat e gjetjes së një zgjidhjeje. Presidentja Osmani përsëriti se kjo çështje duhet të zgjidhet në bashkëpunim me aleatët. Gjatë vizitës, Escobar pritet të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti, opozitën e përfaqësuesit e komunitetit serb, për të biseduar mbi çështjen e dinarit.
Banka Qendrore e Kosovës filloi zbatimin e një rregulloreje të re nga 1 shkurti. Aty përcaktohet që vetëm euro mund të shfrytëzohet për pagesa me para, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit. Serbia deklaron se ndan miliona euro për serbët në Kosovë dhe iu paguan rrogat, pensionet e ndihmën shtesë.
Escobar ka përmendur disa arsye pse SHBA-të nuk pajtohen me mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së:
Escobar ka përsëritur që Shtetet e Bashkuara nuk e kundërshtojnë legjitimitetin e vendimit, por kanë probleme me mënyrën e zbatimit dhe për ndikimin që ka te komuniteti serb. Vizita e tij në Prishtinë është pjesë e një turi tetëditor në vendet si Belgjika, Austria dhe Mali i Zi, të cilin e nisi më 10 mars.
Burimi: vovmagazine.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip