Profesori i Qendrës për Gjeopolitike në Universitetin e Kembrixhit, Timothy Less tha se rasti i Irlandës së Veriut tregon mundësinë që grupet që kanë qenë në konflikt për territorin mund të arrijnë në kompromis dhe të zgjidhin dallimet e tyre, por, siç thekson ai Marrëveshja e së Premtes së Mirë, e cila arriti një kompromis mes katolikëve dhe protestantëve dhe vendosi se cilit shtet duhet t’i përkasë Irlanda e Veriut, nuk mund të zbatohet drejtpërdrejt në rastin e Kosovës, sepse rrethanat janë të ndryshme.
Marrëveshja e së Premtes së Mirë të vitit 1998 u përmend së fundi nga i dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, duke e përmendur atë si një shembull të mirë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Rasti i Irlandës së Veriut tregon për një zgjidhje me të cilën veriu i Kosovës mund të bëhet një rajon autonom brenda Kosovës, duke mbajtur lidhje të forta dhe kufi të hapur me Serbinë. Por mendoj se është e rëndësishme të thuhet se rrethanat e veriut të Kosovës dhe veriut të Irlandës janë të ndryshme dhe se Marrëveshja e së Premtes së Mirë nuk mund të zbatohet drejtpërdrejt në rastin e Kosovës” – deklaroi Less
Si dallime kyçe mes situatës me Kosovën dhe rastit të Irlandës së Veriut, ai theksoi se Britania e ka njohur gjithmonë pavarësinë e Republikës së Irlandës, ndërsa në të kundërt Serbia nuk e njeh Kosovën, “palë me të cilën duhet të të negociojë statusin e veriut”.
Ai përmendi statusin e territorit të kontestuar si një ndryshim tjetër. Irlanda e Veriut, tha ai, është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, si shtet amë, ndërsa Kosova veriore, sipas Beogradit, “është pjesë e shtetit separatist të Kosovës dhe jo shteti amë i Serbisë”.