Duele interesante në Ligën e Kampionëve
Rikthehen ethet e Ligës së Kampionëve me dy ndeshje që do të luhen në mbrëmje. Në Londër dhe Barcelonë, do të luhen dy duelet e kthimit të 1/8 së finales të kësaj gare.
Në të dyja këto përballje edhe do të vendoset për skuadrat që do të kualifikohen në çerekfinale të Championsit. Pas barazimit 1:1 para tri javësh në Itali, Barcelona synon ta eliminoj Napolin në duelin e kthimit në Spanjë prej orës 21:00.
Si Barcelona edhe Napoli, do të tentojnë avancimin tutje duke pasur parasysh se ky është trofeu i vetëm për të cilin mund të luftojnë këtë edicion.
Napoli do të jetë më i kompletuar për këtë ndeshje sesa Barcelona. Ekipit spanjoll do t’i mungojnë mesfushorët Frenkie De Jong dhe Pedri, ndërsa nuk do të jetë i gatshëm për lojë as sulmuesi i krahut, Ferran Torres. Ndërkohë, Napoli ka udhëtuar drejt Spanjës me ekipin më të fortë, pasi në listë është përfshirë edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani. Rrahmani nuk u aktivizua në ndeshjen e fundit kampionale të Napolit për të qenë plotësisht i gatshëm ndaj Barcelonës.
Prej orës 21:00, gjithashtu luhet edhe dueli tjetër i kthimit të kësaj faze, ndërmjet Arsenalit dhe Portos. Arsenali që është lider në Premier League, synon ta përmbys rezultatin e ndeshjes së parë në Portugali, të cilën e fitoi Porto me shifrat 1:0.
Në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, tashmë janë kualifikuar Real Madridi, Bayerni, Manchester City e Paris Saint-Germaini.
Burimi: teve1.info
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip