logo
Dikur do “binjakëzohej” me Lacion dhe do kishte TV, sot Shkumbini del në ankand për 4 milionë lekë!

Dikur do “binjakëzohej” me Lacion dhe do kishte TV, sot Shkumbini del në ankand për 4 milionë lekë!

1 Mars, 2024
11:08

Nga Boldnews.al

Një nga skuadrat që bëri histori në superligën shqiptare të futbollit, Shkumbini i Peqinit, po “noton” në ujëra aspak të mira, teksa së fundmi është në kategorinë e dytë (të tretën). Dikur, skuadrat që luanin në Peqin e kishin të vështirë të fitonin, kjo e ndikuar nga një president karizmatik, tifozët apo edhe vetë kushtet e fushës. Më vonë, kur Shkumbini po luftonte për mbijetesë në Superligë, deputetë dhe eksponentë të mazhorancës deklaruan se do ta “binjakëzonin” me skuadra të Serisë A në Itali.

Madje, me ekipe cilësore. Një ndër to ishte skuadra e Lacios, e cila në atë kohë luftonte për të fituar kampionatin. Por, jo vetëm kaq! U premtua se Shkumbini do të kishte edhe një televizion të vetin. Si Milan Channel apo Inter Channel, ku progrmacioni do të ishte vetëm për ekipin e parë, stërvitjet apo gjithçka tjetër. Madje, u premtua edhe ndërtimi i një stadiumi bashkëkohor. Koha kaloi dhe gjithçka u harrua.

Skuadra, jo vetëm që s’pati “binjakëzim” me Lacion, një TV si Milani apo Interi, por ra nga Kategoria Superiore. Më pas u rrëzua edhe nga Kategoria e Parë, për të përfunduar në Kategorinë e Dytë. Ndërkohë, disa kilometra më në perëndim të Peqinit, skuadra e Egnatias së Rrogozhinës po kryeson Superligën dhe është kandidati kryesor për ta fituar kampionatin. Po me Shkumbinin çfarë ka ndodhur?!

Dikur do “binjakëzohej” me Lacion dhe do kishte TV, sot Shkumbini del në ankand për 4 milionë lekë!

Disa ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Peqinit, Bukurosh Maçi, ka nxjerrë njoftimin për nxjerrjen në ankand të aksioneve të skuadrës së futbollit të Shkumbinit. Data e zhvillimit të ankandit është 18 marsi i vitit 2024. Letrat u bë me një procedurë standarde të hapur.

“Objekti i shitjes është me ankand të aksioneve të Klubit të Futbollit ‘Shkumbini’ sh.a” thuhet në këtë dokument. Në të njëjtin njoftim detajohet se Bashia e Peqinit ka nxjerrë në ankand 80 % të aksioneve të këtij klubi.

“Klubi i futbollit ‘Shkumbini’ sh.a është shoqeri e organizuar në formën e shoqërisë aksionere e krijuar në vitin 2011, ku aksionet zotërohen në masën 100% nga Bashkia Peqin. Në mënyrë më të zgjeruar objekti i shitjes përshkruhet në shtojcen 10” thuhet në këtë dokument.

Sipas të të njëjtit dokument, vlera fillestare me të cilën fillon ankandi publik është 4.000.000 lekë. “Vendi i zhvillimit të ankandit është në godinën e Bashkisë Peqin, kati i dytë, zyra e zv/kryetarit të Bashkisë Peqin. Afati i fundit kohor për dorëzimin e kërkesave për pjesëmarrje është në datë 18 mars 2024 ora 11:00” thuhet në këtë dokument.

Burimi: boldnews.al

Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip

Shqipëria e përfshirë në një operacion ndërkombëtar kundër evazionit fiskal!
lexo artikullin