Dëborë në pranverë, zbardhen disa zona në veri dhe jug të Shqipërisë
Ka marrë fund moti i ngrohtë dhe me diell i këtij fillim marsi.
Gjatë natës së mbrëmshme janë rikthyer reshjet e shiut dhe të dëborës në zonat malore të vendit kurse temperaturat janë ulur ndjeshëm. Dëbora ka zbardhur qytetin e Peshkopisë, ndërsa në zona të thella trashësia shkon deri në 15 cm.
Reshjet e dëborës janë prezente jo vetëm në veri por edhe në jug dhe jug-lindje të vendit. Zonat të cilat ndodhen mbi 800 m janë mbuluar nga bora në të gjithë qarkun e Gjirokastrës, duke na dhënë një pamje panoramike. Qafa e Çajupit drejt Zagorisë ka rreth 5 cm borë, por është e kalueshme për mjetet që përshkojnë fshatrat e krahinës.
Në qarkun e Korçës në aksin rrugor Boboshticë- Dardhë në mbi 1400 metra dëbora ka arritur në trashësinë 10 cm. Gjithashtu reshjet e dëborës me intesitet të ulët janë regjistruar edhe në zonat malore të Pogradecit dhe Maliqit përfshirë edhe Malin e Thatë.
Ndërkaq në lartësinë mbi 1000, qarku i Shkodrës është përfshirë nga reshje dëbore. Sipas te dhënave nga ARRSH, në akset Hani i Hotit – Tamare, Tamare – Vermosh dhe Boge – Theth, ka reshje shiu dhe në lartësitë mbi 1300m ka reshje bore.
Sa i përket pemëtarisë, nuk ka shkaktuar dëme pasi pemët ende nuk kanë çelur, madje nga fermerët shihet ndihmë, pasi bora dhe temperaturat e ulëta shtyjnë edhe për pak kohë çeljen e luleve, dhe minimizon problemet me ngricat.
Burimi: boldnews.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip