“Bombat” e WikiLeaks: vjen dënimi për ish-inxhinierin e CIA-s
Ish-inxhinieri i softuerit të CIA-s, Joshua Schulte, i cili zbuloi materialin më të klasifikuar në historinë e agjencisë, u dënua me 40 vjet burg.
Schulte, 35 vjeç, u dënua për organizimin e rrjedhjes më të madhe të materialeve të klasifikuara në historinë e CIA-s, pasi ia zbuloi atë informacion WikiLeaks-it, raportoi ABC News.
Prokurorët federalë thanë se rrjedhja e informacionit të klasifikuar kishte pasoja katastrofike për CIA-n dhe se nuk kishte asnjë motiv altruist në veprimet e Schulte.
Prokurorët pretendojnë se ishte një akt hakmarrjeje ndaj eprorëve që e transferuan atë në një punë tjetër, i hoqën disa nga privilegjet e tij në IT dhe e kritikuan për sjelljen e tij.
Në gusht, një gjykatë amerikane mbështeti kryesisht padinë kundër Schulte për vjedhjen më të madhe të informacionit të klasifikuar në historinë e CIA-s, ndërsa akuza për pengim u hodh poshtë.
Zbulimi i të dhënave
Schulte u dënua në korrik 2022 për katër akuza për spiunazh dhe hakerim kompjuterik dhe një akuzë për dhënie të një deklarate të rreme agjentëve të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) pasi i kaloi materialet e klasifikuara WikiLeaks-it.
Në mars 2017, WikiLeaks filloi publikimin e materialeve në lidhje me mënyrën se si CIA vëzhgoi qeveritë e huaja, të dyshuarit dhe të tjerët, duke kompromentuar rrjetet e tyre elektronike dhe kompjuterike.
CIA tha se Schulte “rrezikoi drejtpërdrejt personelin, programet dhe asetet e Agjencisë dhe kërcënoi sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.
Schulte u dënua gjithashtu për posedim të pornografisë me fëmijë shtatorin e kaluar.
Burimi: tesheshi.com
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip