Besëlidhja e Lezhës, mesazhet e Begajt pa “turq” e “osmanë”
Në një aktivitet mbi Besëlidhjen e Lezhës, presidenti Begaj pretendoi se arbëreshët janë të larguarit me forcë nga vendi i tyre. Siç dihet, ata ishin bashkësi të cilat u zvendosën në jugun italian gjatë sundimit Osman të Ballkanit, por teza e “largimit me forcë” nuk ka ekzistuar ndonjëherë.
“Natyrisht, ky rrëfim historik nuk do të kishte kuptim pa komunitetin arbëresh, fëmijë të atyre patriotëve që, ndonëse u larguan me forcë nga vendlindja, nuk i harruan kurrë rrënjët.
Arbëreshët, duke ruajtur gjuhën, zakonet dhe kulturën shqiptare, janë dëshmi e gjallë e bashkimit dhe forcës së identitetit shqiptar që mbijeton pavarësisht kufijve dhe kohës.
Ata tregojnë se edhe larg dheut amë, zemra shqiptare rreh me të njëjtin ritëm të guximit dhe ndershmërisë, të krenarisë dhe respektit për tjetrin”, tha kreu i shtetit.
Tjetër e veçantë e fjalimit të tij qe që askund nuk përmendi “pushtuesin turk” apo “pushtuesin Osman”, terminologji me të cilat është e mbushur historiografia shqiotare dhe narrativa nacionaliste me rrënjë në komunizëm, mbi sundimin Osman 500-vjeçar, sigurisht jo vetëm të trojeve shqiptare, port ë një pjese të mirë të botës, asaj me vitale madje.
“Ne kemi detyrë të mbajmë gjallë historinë tonë, ku Besëlidhja e Lezhës qëndron si kujtesë e dashurisë për lirinë dhe njëri-tjetrin.
Njëkohësisht, në këtë ditë të shënuar të historisë shqiptare, më lejoni të theksoj rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me NATO-n dhe vijimit me bindje të rrugëtimit tonë drejt integrimit të plotë në BE.
Padyshim që duhet të jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat shqiptarët përballen brenda vendit e kudo në rajon, por le të mos harrojmë se një ditë si kjo e sotmja provon aftësinë tonë për të adresuar çdo sfidë.
Me orientimin tonë të palëkundur evropian, le të vijojmë të ndërtojmë mbi themelet e shëndosha të vendosura 580 vjet me parë, duke qenë gjithmonë të gatshëm të përqafojmë ndryshimet demokratike”, ishin disa nga frazat e kreut të shtetit. /tesheshi.com/
Burimi: tesheshi.com
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip