logo
Berisha: Irena Gjoka një falsifikatore e shpifur! KLGJ e mbrojti me urdhër të Ramës

Berisha: Irena Gjoka një falsifikatore e shpifur! KLGJ e mbrojti me urdhër të Ramës

4 Mars, 2024
20:02

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi këtë të hënë raportimet nga mediat greke se gjyqtarja e Posaçme Irena Gjoka ka paraqitur dokumente false te autoritetet helene dhe për këtë arsye, i është ndaluar hyrja për më shumë se 1 dekadë në shtetin fqinjë.

Gjatë fjalës së mbajtur në protestën poshtë banesës së tij, Berisha hodhi akuza dhe ndaj kryeministrit Edi Rama se po mbron gjyqtaren. Shigjetoi dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, duke deklaruar se ky institucion është vendosur nën urdhrat e kreut të qeverisë.

“Pas publikimit në të gjithë mediat e mëdha të Greqisë, të dokumenteve zyrtare, në të cilat faktohet se Irena me tre mbiemra, figuronte e dënuar nga gjykata e Apelit të shtetit fqinj, si një falsifikatore e ulët, vetëm pak orë mbrapa, nga zyra e Edi Ramës do shkonte në KLGJ-në e tij, reagimi në të cilin merrej në mbrojtje një falsifikatore e shpifur. Një turp njeri, një turp gjykatëse”, tha Berisha.

“Imagjinoni ju se kush është kreu i Gjykatës Speciale të Shqipërisë. Një falsifikatore e dënuar, një delinkuente. Imagjinoni ju kush është kryetare e KLGJ-së, një kukull e neveritshme, që në vend të qëndrojë mbi dokumentet zyrtare që faktojnë se Irena me tre mbiemra ka mashtruar, ka fshehur krimin dhe se duhet të shkojë menjëherë para drejtësisë, lexon avokatinë e zyrave të Edi Ramës. Ky është një sistem antiligjor, një sistem që ka vetëm një mision, të mbrojë krimet e Edi Ramës. Të mbrojë pushtetin e krimit të Edi Ramës”, shtoi ai.

Kryedemokrati akuzoi gjithashtu gjyqtaren Gjoka se po zvarrit procesin ndaj tij në Gjykatën e Posaçme. Pas kësaj skeme, sipas tij, fshihet Edi Rama.

“Sot Edi Rama urdhëroi një gjykatëse falsifikatore të shpifur, një njeri pa ligj, pa moral ligjor, një mashtruese ordinere, të turpshme, të shtyjë procesin, vetëm e vetëm se nuk ka asnjë fakt. Vetëm e vetëm se është një proces fund e krye politik. Një proces fund e krye ekstraligjor. Një proces fund e krye antikushtetues”, tha Berisha.

Burimi: boldnews.al

Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip

Tronditëse/ Gruaja bie nga ura e Shkopetit teksa po ecte me paterica
lexo artikullin