Baza ajrore në Kuçovë/ Reagon Berisha: PD mbështet bashkëpunimin me NATO-n
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar për hapjen e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.
Përmes një postimi në Facebook, Berisha shkruan se përshëndet këtë ngjarje të rëndësishme për sigurinë e vendit dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Ai shprehet se PD mbështet pa rezerva bashkëpunimin me NATO-n dhe mbetet e vendosur në respektimin e të gjitha detyrimeve politike dhe ushtarake të Shqipërisë ndaj saj.
Reagimi nga Berisha:
“Sot u inaugurua në Kuçovë, pas rikonstruksionit të Aeroportit, baza ajrore e NATO-s në Shqipëri. Partia Demokratike, si forca politike e parë në Europën ish-komuniste që kërkoi anëtarësimin e vendit në NATO dhe që 15 vjet më parë me reforma të thella dhe të shumëanshme antarësoi Shqipërinë në NATO, përshëndet këtë ngjarje të rëndësishme për sigurinë e vendit dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Partia Demokratike garanton NATO-n se ajo sot dhe në të ardhmen mbështet pa rezerva bashkëpunimin me Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe mbetet e vendosur në respektimin e të gjitha detyrimeve politike dhe ushtarake të Shqipërisë ndaj saj”, shkruan Berisha.
Burimi: boldnews.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip