Ambasadori amerikan në Prishtinë: Mospajtimet rreth dinarit kanë prekur cilësinë e partneritetit Kosovë – SHBA!
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha të enjten se mungesa e bashkërendimit të qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara lidhur me rregulloren që ndalon dinarin serb, tashmë ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.
Në një konferencë shtypi, ambasadori Hovenier vuri theksin në kritikat që i bëri qeverisë së Kosovës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien gjatë një interviste për Zërin e Amerikës dy ditë më parë, në të cilën tha se qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, ka hyrë në fuqi me një shkurt pavarësisht thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare që të shtyhet zbatimi i saj.
I pyetur nga gazetarët rreth komenteve të zotit O’Brien, të mërkurën kryeministri Albin Kurti ndonëse theksoi se Shtetet e Bashkuara paraqesin mikun dhe partnerin më të rëndësishëm që ka Kosova, nuk la të nënkuptohet se do të tërhiqet nga vendimi për dinarin.
Ambsadori Hovenier tha sot se Shtetet e Bashkuara presin nga qeveria të dëgjojë këshillën e tyre dhe të veprojë në bazë të kërkesave perëndimore.
Ambasadori amerikan tha se zbatimi i rregullores duhet të shtyhet derisa të vendoset një procedurë që i mundëson Serbisë të transferojë fonde në përputhje me rregulloret e Bankës Qendrore të Kosovës dhe standardet evropiane e praktikat e qeverisjes së mirë.
Kundërshtimet rreth zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore kanë ngritur shqetësime në Kosovë mbi ndikimin që mund të sjellin në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, të cilët në vazhdimësi kanë kërkuar shtyrjen e tij. Njohës të zhvillimeve politike në vend thonë se autoritetet në Kosovë duhet të ndërmarrin veprime sa më parë në përputhje me kërkesat ndërkombëtare për të mos lejuar që deklarimet të shndërrohen në masa konkrete ndëshkuese.
Misioni amerikan në OSBE: Palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme, të angazhohen në dialog
Në një deklaratë të enjten, zëvendës shefja e misionit amerikan pranë Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Tracy Newell theksoi se Shtetet e Bashkuara “nxisin dy shtetet të angazhohen me mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të forcuar demokracinë, integrimin ekonomik evropian dhe për të zhvilluar bashkëpunim shumetnik dhe respekt.”
Në vazhdim, zonja Newell tha se “jemi thellësisht të shqetësuar për veprimet e fundit, të pa koordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, përfshirë bastisjet në institucionet e mbështetura nga Serbia dhe mbyllja e shërbimeve nga të cilat varen qytetarët e Kosovës”.
Sipas saj, “këto veprime bien ndesh me përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që në mënyrë konstruktive t’u japë përgjigje çështjeve që prekin komunitetin pakicë serb në Kosovë” përmes dialogut.
Zonja Newell gjithashtu shtoi se “dështimi i Serbisë për të mbajtur përgjegjës autorët e sulmeve të 24 shtatorit në afërsi të Manastirit të Banjskës, është i pandërgjegjshëm dhe dëmton thellësisht besimin që nevojitet për normalizim”.
Sipas saj, Kosova i ka dorëzuar Bashkimit Evropian “një raport 48-faqësh më 26 janar, që prezanton gjetjet e saj mbi sulmin e Banjskës. Ish udhëheqësi i Listës Serbe, i sanksionuar nga SHBA-ja dhe BE-ja, Milan Radoiçiç dhe të tjerët përgjegjës për këto veprime të tmerrshme nuk janë mbajtur përgjegjës”.
Në fund të deklaratës zonja Newell, thotë se “përparësi e jona mbetet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të dyja vendet nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit dhe aneksin për zbatim në shkurt dhe mars të vitit 2023, për të cilat BE-ja thotë se janë detyrime ligjore”.
Burimi: vovmagazine.al
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip