Ali Ahmeti ka një ëndërr…
“Nuk ka qetësi Europa pa u rehatuar, paqësuar dhe pajtuar Ballkani Perëndimor”, kumtoi Ali Ahmeti, kreu i BDI-së, politikani kryesor shqiptar në Maqedoni, i cili tashmë po përjeton zenithin politik, pasi një prej krahëve të tij që nga lufta, Talat Xhaferi, u bë kryeministër, pra, i pari shqiptar në krye të qeverisë maqedonase që pas ’90-ës.
Duke folur në Opinion, përballë Blendi Fevziut, ai foli për një të ardhme tjetër në rajon, atë pa kufi mes shtetesh.
“Pse mos e bëjmë që ai kufi të mos ekzistojë, ashtu siç e ka bërë Europa, i ka hequr kufijtë mes Gjermanisë dhe Francës, janë hequr. Janë hequr mes Gjermanisë, Austrisë. Ëndrra ime është Shtetet e Bashkuara të Europës, lerë Ballkanin pa kufi… dhe Europa duhet ta përshpejtojë procesin, sepse duke pasur një Ballkan me flakë, do plagoset edhe vetë. Nuk ka qetësi Europa pa u rehatuar, paqësuar dhe pajtuar Ballkani Perëndimor”, tha njeriu që morri emër nga lufta e vitit 2001, si komandanti i UÇK-së nr. 2, asaj të shqiptarëve në Maqedoni.
Më pas, Ahmeti bëri dhe teoricienin gjepolitik.
“Europa është e vogël krahasuar me perandorinë dhe ‘arushën polare’, Rusinë. Ne jemi aq të vegjël krahasuar me Rusinë dhe e keqja sot na vjen ne nga Moska. Rusi, Kinë, kundër procesit tepër të natyrshëm. Se ne vendet e Ballkanit Perëndimor duam të jemi, sepse natyrshëm jemi Europë. Fundi fundit, djepi i Europës është Mesdheu. Të gjitha shtetet, popujt, kombet, që jetojnë në veriun më të largët, djepin e parë e kanë pasur në Mesdhe”, arsyetoi ai.
Sigurisht, Ali Ahmeti është intelektualisht shumë larg të ndjerit Arbër Xhaferi, një kolos i mendimit politik shqiptar, por BDI-ja e tij po del me pragmatiste dhe më e suksesshme në terma politikë se a PDSH-ja e dikurshme, drejtuar nga Menduh Thaçi, e cila pothuajse ka dalë jashtë loje me një ç’faktorizim të paimagjinueshëm deri dje. /tesheshi.com/
Burimi: tesheshi.com
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip