Eksperti amerikan i politikës së jashtme David L. Phillips, ka folur për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila përmes Rregullores për operacionet për paratë e gatshme, ndaloi pagesat me dinarin serb në Kosovë, dhe sipas tij, përdorimi i dinarit, nuk duhet të lejohet nga Prishtina zyrtare.
Më 17 janar, Banka Qendrore e Kosovës miratoi një rregullore për operacionet për paratë e gatshme, sipas së cilës, monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro.
Por Bashkimi Europian ka kërkuar që çështja e rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Emisari special për dialogun Miroslav Lajçak, zhvilloi të martën në Bruksel, takime të ndara me palët nga Kosova dhe Serbia dhe më pas takimin trepalësh, ku temë kryesore ishte Rregulloja e BQK-së.
Pas takimit, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, tregoi se gjatë takimit janë diskutuar modalitetet teknike se si mundet të vazhdojë financimi nga Serbia, përmes kanaleve ligjore dhe transparente në llogaritë bankare të përfituesve në euro, bazuar në propozim e BQK-së dërguar te Banka Popullore e Serbisë.
“Rregullorja është në fuqi dhe nuk ndryshohet. Zbatimi i saj nuk vihet në diskutim. Mundësi ligjore për transferta legale ka, nëse Serbia ka gatishmëri t’i shfrytëzojë ato” – është shprehur Ismaili.