logo
 Albin Kurti karshillëk SHBA-së/ Pompoziteti fals i kryeministrit

 Albin Kurti karshillëk SHBA-së/ Pompoziteti fals i kryeministrit

16 Shkurt, 2024
14:00

I vetëkënaqur u shfaq në mbledhjen 188 të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti, teksa pati vetëm lëvdata “për punën” e qeverisjes së tij gjatë tri viteve – ndonëse Kosova që ai drejton është nën sanksione nga Bashkimi Evropian, kurse vetëm dy ditë më parë Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, e ka cilësuar qeverisjen e tij si të “paaftë”.

Para ministrave, Kurti listoi si “sukses” luftimin e krimit dhe korrupsionit, ndryshe nga raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe atij të Progresit të dy viteve të fundit ku thuhet se ka korrupsion serioz qeveritar dhe mos-shtrirje të autoritetit të Qeverisë në Veri, ndonëse me pompozitet kryeqeveritari kosovar tha se “ligjshmëria po shtrihet në çdo cep”.

Në fjalimin e tij shtatë-minutësh, kreu i Qeverisë, duke aluduar opozitën, ka theksuar se ata po përpiqen të ndalin reformat në ekonomi dhe drejtësi.

Ai u mburr edhe me shtimin e buxhetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, teksa ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në paraqitjen e raportit vjetor të punës për vitin 2023 në Komisionin për Siguri gjatë kësaj jave, ka bërë të ditur se mbi 200 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë larguar.

Përveç krekosjes me suksese, Kurti nuk përmendi si “dështim” pranimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicës Serbe, që parashihet në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit. Ndërkaq vetëm tri vjet nën petkun e shefit të ekzekutivit i mjaftuan Kurtit që t’i dalë në opozitë vetës së tij të dikurshme duke u bërë kryeministri i parë i cili pranon një draft-statut për këtë mekanizëm, ndonëse disa herë Kurti dhe zëvendësi i tij Besnik Bislimi akuzuan të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, se është pozicionuar “kundër Kosovës”.

Burimi: ntv.al

Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip

Mish viçi brenda kokrrave të orizit, habisin shkencëtarët koreanë!
lexo artikullin