“Alarm” nga Bild: Partia që Erdogan po themelon në Gjermani
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, po përpiqet të hyjë në BE nga dera e pasme duke themeluar partinë e tij në Gjermani, të quajtur DAVA (Aleanca Demokratike për Diversitet dhe Zgjim), shkruan Bild me një gjuhë jo thjesht raportuese por tërbimi.
Sipas kësaj gazete, qëllimi i Erdoganit është të krijojë degën e fundit të partisë së tij në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim.
Në kuadër të proceseve partiake për zgjedhjet e ardhshme europiane në qershor, Sulltani i Bosforit shfrytëzon rastin për të vënë në provë forcën e tij duke shfrytëzuar 2.5 milionë muslimanë që banojnë në lokomotivë të Eurozonës, të cilët kanë pasaportë gjermane si dhe të drejtë vote.
Me ndryshimin në ligjin e shtetësisë të planifikuar nga prilli 2024, deri në 2.5 milionë qytetarë gjermanë muslimanë mund të shtohen me të drejtë vote.
“Kjo do të thotë se ka një bazë potenciale votuesish për partinë ‘DAVA’ prej pesë milionë votash”, thekson publikimi përkatës.
Në artikullin e Bild, theksohet se Erdogan është jashtëzakonisht i popullarizuar në mesin e turqve që jetojnë në Gjermani.
“Erdogan mori rreth 500 mijë vota nga qytetarët turq në zgjedhjet presidenciale të majit 2023. Dhe kjo është rreth 67% e votave!”.
Katër janë kandidatët kryesorë të partisë turke që Erdogan dëshiron të themelojë në Gjermani.
Njëri është mjeku nga Hamburgu, i njohur si Mustafa Yoldas, i cili është renditur nga Ministria e Brendshme si mbështetës i Hamasit dhe organizatave të lidhura me të, mjeku tjetër është Ali Ihsan Unlu nga Saksonia e Ulët, anëtar i organizatës lokale DITIB, e cila është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Ministrisë Turke të Çështjeve Fetare.
I treti është avokati Fatih Zingal nga shteti North Rhine-Westphalia, ish-deputet i Partisë Socialdemokrate (SPD), nga e cila është larguar për t’u marrë me promovimin e AKP-së në Evropë dhe i katërti është aktivisti për të drejtat e njeriut Taifiq Ezcan, i cili shihet si favorit për kreun e DAVA-s.
Fushata elektorale e Erdoganit në prag të zgjedhjeve evropiane do të financohet ekskluzivisht nga tarifat e anëtarësimit dhe sponsorët nga Gjermania.
Sipas deklaratës së themelimit të partisë, të cituar nga gazeta gjermane, DAVA kërkon që personat me origjinë të huaj të kenë të drejta të plota, duke theksuar se shumë shpesh “kur kërkojnë një apartament apo punë, por edhe në shumë situata të përditshme, si komunikimi me autoritetet, ata mendojnë se nuk pranohen si anëtarë të plotë të shoqërisë evropiane”.
Partia synon gjithashtu të luftojë varfërinë e fëmijëve dhe problemet e pleqërisë duke bërë thirrje për përfitime shtesë sociale dhe bën thirrje për “një politikë pragmatike dhe joideologjike të refugjatëve”.
Listat e kandidatëve për zgjedhjet evropiane duhet të dorëzohen deri më 18 mars.
Në zgjedhjet europiane nuk ka kufi 5%, siç është në Gjermani, por gjithsesi, siç thekson gazeta Bild, një parti e tillë mund të apelojë në një grup prej rreth 5 milionë votuesish.
Aktualisht në Gjermani ka 2.5 milionë muslimanë që votojnë dhe kur të ndryshohet ligji për shtetësinë prillin e ardhshëm, do të shtohen edhe shumë të tjerë. Pikërisht këtu vë bast Sulltani i Bosforit, shkruan Bild.
Burimi: tesheshi.com
Na ndiqni në faqen tonë në Facebook Lajme Shqip