Eni Vasili garanton për Festivalin e Pranverës. Prurjet me nivel artistik, këngët në të gjitha kanalet zyrtare të RTSH-së
Në prag të netëve të shumëpritura të muzikës , Festivali i Pranverës po hyn në fazën e fundit përgatitore, duke sjellë atmosferën e një feste të madhe artistike për publikun shqiptar.
Drejtoresha e përgjithshme e Radio Televizioni Shqiptar, Eni Vasili, gjatë një mbledhjeje me stafin organizativ, u ndal te përgatitjet intensive që po zhvillohen për realizimin e festivalit, i cili do të mbahet në datat 6 dhe 7 qershor.
Sipas saj, organizimi tashmë ndodhet në etapën përmbyllëse, ndërsa shumë shpejt këngët pjesëmarrëse do të publikohen në kanalet zyrtare të RTSH-së, për t’u dhënë mundësi fansave t’i ndjekin dhe të njihen me prurjet muzikore të këtij edicioni.
Drejtoresha e përgjithshme e RTSH-së theksoi se Festivali i Pranverës synon të rikthejë atmosferën festive dhe emocionin e muzikës së drejtpërdrejtë për publikun, dhe gjithashtu shpreh se është e kënaqur me nivelin artistik dhe prurjet e këtij viti, duke vlerësuar angazhimin e artistëve pjesëmarrës dhe larminë muzikore që do të sjellë festivali.
“Festivali është në fazën e vet të fundit përgatitore. Jam shumë e kënaqur se si kanë vajtur gjërat deri tani. Jam shumë e kënaqur që emrat e prezantuesve janë pritur shumë mirë nga publiku. Të dy ata përfaqësojnë personalitete në sektorët e tyre. Jam shumë e kënaqur për prurjet artistike.
Shumë shpejt do të publikojmë online edhe këngët e festivalit, të cilat publiku do të ketë mundësi t’i njohë dhe pastaj të japë mendimin e vet rreth tyre, të bëjë garën e pëlqimeve në kanalin e YouTube të Radio Televizionit Shqiptar.
Mund të them që ky festival, që është një rikthim në vlerat e veta të Radio Televizionit Shqiptar, do të zgjojë edhe njëherë pikërisht atë kënaqësi dhe atë afrimitet mes publikut dhe medias publike, që ka qenë dhe që duhet patjetër të rikthehet e të rizgjohet.
Ky është një nga qëllimet e menaxhimit të ri në Radio Televizionin Shqiptar: që RTSH-ja t’i kthehet gjërave që di të bëjë më mirë.
Festivalet dinë t’i bëjë shumë mirë dhe ky që vjen, Festivali i Pranverës, do të jetë një festë për ne të RTSH-së, një festë për publikun që e do muzikën, një festë për qytetin apo edhe më gjerë, pasi ne presim që të na bashkohen nga e gjithë Shqipëria për të shijuar netët e festivalit në datën 6 dhe 7 qershor”, u shpreh drejtoresha e përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili.
Dy netët e festivalit do të prezantohen nga këngëtarja Bleona Qereti dhe aktori Nik Xhelilaj, të cilët do të ngjiten në skenë për të drejtuar këtë kompeticion që premton muzikë te mire , ritëm dhe surpriza për publikun.
( Nga rtsh.al)
Na ndiqni:





