Bizneset i kanë borxh shtetit 2 miliardë euro, kryesojnë tatimfitimi dhe TVSH-ja

Bizneset i kanë borxh shtetit 2 miliardë euro, kryesojnë tatimfitimi dhe TVSH-ja

1 Prill, 2026 10:04

Detyrimet e prapambetura tatimore të bizneseve shënuan një rritje të fortë vitin e kaluar duke arritur vlerën e 2 miliardë eurove.

Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve vlera e detyrimeve të prapambetura shënoi 194.4 miliardë lekë në fund të dhjetorit 2025, duke shënuar një rritje neto prej 31.89 miliardë lekësh ose 19.6% krahasuar me fillimin e vitit.

Ky volum përfshin edhe një vlerë prej 13.15 miliardë lekësh, rreth 6.8% e totalit, e cila ndodhet aktualisht në procese gjyqësore.

Struktura e këtij borxhi tregon se Tatim Fitimi mbetet zëri më problematik, duke zënë 35.5% të stokut me një vlerë prej 68.97 miliardë lekësh, i ndjekur nga TVSH-ja me 32.9% ose 63.89 miliardë lekë.

Gjatë vitit 2025, këto dy zëra pësuan edhe rritjen më të madhe, ku vetëm Tatim Fitimi u zgjerua me mbi 21 miliardë lekë. Pjesa tjetër e detyrimeve ndahet mes Tatimit në Burim, TAP-it, Dividentit (DIVA), sigurimeve shoqërore dhe kategorive të tjera.

Në analizën e përbërjes së borxhit, principali (detyrimi bazë) përbën 60% të vlerës, ndërsa 40% e mbetur vjen nga penalitetet dhe kamatëvonesat e akumuluara.

Mbi 60% e stokut i përket detyrimeve të papaguara prej më shumë se 5 vitesh. Megjithatë, administrata është përqendruar në arkëtimin e detyrimeve më të reja përmes analizës së riskut, duke synuar parandalimin e vjetërsimit të borxhit të ri.

Sa i përket statusit të debitorëve, tatimpaguesit pasivë mbartin peshën më të madhe me 66% të vlerës totale, ndërsa subjektet aktive janë përgjegjëse për rreth 66.9 miliardë lekë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaroi se për të adresuar këtë situatë, gjatë vitit 2025 janë ndërmarrë nisma për mbledhjen me forcë dhe nxitjen e vetë-përmbushjes vullnetare.

Analiza e të dhënave tregon se arsyeja kryesore e këtij vëllimi të lartë lidhet me strukturën e debitorëve, ku 66% e totalit të borxhit, rreth 127 miliardë lekë, u përket tatimpaguesve pasivë.

Këto janë biznese që nuk ushtrojnë më aktivitet, por detyrimet e tyre mbeten në sistem, duke u rritur çdo muaj nga kamatëvonesat. Kjo krijon një stok që është vështirë të arkëtohet, pasi subjektet shpesh nuk kanë asete qe të sekuestrohen.

Për më tepër, vjetërsia e borxhit mbetet një sfidë kritike. Mbi 60% e stokut i përket detyrimeve që kanë më shumë se 5 vite që nuk paguhen. Ky borxh i vjetër rëndon bilancin e shtetit, ndërkohë që administrata tatimore po përpiqet të shmangë rritjen e borxhit të ri përmes analizës së profilit të riskut.

TVSH-ja kishte një rritje të stokut të borxhit prej 6.72 miliardë lekësh në 2025, një tregues ku detyrimi i mbledhur nga konsumatori nuk është derdhur plotësisht në arkën e shtetit.

Një tjetër arsye që shpjegon rritjen është përbërja e borxhit, pasi vetëm 60% e vlerës totale është principal, ndërsa 40% janë penalitete dhe kamatëvonesa.

Enterprise IT Management

IT Management You Actually Trust

Managed IT, security & surveillance for modern businesses.